Lajmet e fundit
Partia Socialiste nuk mund të miratojë pa votat e aleatëve të saj projektligjin për ndryshimin e Kodit Penal. Nisma e qeverisë kërkon të paktën 84 vota, ose siç njihet ndryshe shumicë të cilësuar, të cilën maxhoranca e majtë nuk mund ta sigurojë pa votat e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet.

Partia Socialiste aktualisht ka zbritur në kuotën e 62 deputetëve, edhe me afrimin në radhët e saj të Eduard Ndocajt, i njohur ndryshe “kaubojsi” i Lezhës.
PS-ja humbi nga radhët e saj tri vota të sigurta, me largimin e Tom Doshit nga Grupi i saj, arrestimin e Armando Prengës dhe të Mark Frrokut.
Një votë tjetër që iku nga shporta e maxhorancës ishte ajo e Vangjel Dules, i cili prishi koalicionin me PS-në.
Nga ana tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim ka në Kuvend 20 vota, që së bashku me 62 votat e PS-së arrijnë në kuotën e 82 votave.
E majta mund të arrijë duke shfrytëzuar si “bonus” votën e kryetarit të Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, por sërish pa PDIU-në mund të shkojë deri në 83 vota, me të cilat nuk mjaftojnë për të miratuar ndryshimet në Kodin Penal.
VOTAT E PDIU
Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit aktualisht në Parlament disponon katër vota të sigurta, me anë të të cilave kompenson humbjet që ka pësuar Partia Socialiste me deputetët Doshi, Prenga dhe Frroku.
PDIU aktualisht është pa një grup të mirëfilltë parlamentar, por 4 votat e saj janë të çmuara për maxhorancën e majtë për të realizuar reformat ambicioze që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Katër votat e PDIU-së së Idrizit e çojnë maxhorancën e majtë në kuotën e 87 votave.
PDIU ka humbur një deputet nga radhët e saj, deputetin e Vlorës Dashamir Tahiri, i cili ka qëndruar në grupin e PD-së. Pakica në Parlament ka mbetur në kuotën e 48 votave.