Lajmet e fundit

Sipas ekspertëve, në mbi 90% të objekteve të kategorisë A në Maqedoni që ndërtohen nga shteti, përdoren materiale cilësore dhe të kontrolluara. Megjithatë, sipas tyre, problem janë objektet private për ndërtimin e të cilëve përdoren materiale të importuara që nuk kontrollohen sa duhet. Kontrollin e tyre e bëjnë vetë firmat ndërtimore, gjegjësisht inxhinieri që është përgjegjës për mbikëqyrjen e tyre.
Ekspertët rekomandojnë të respektohen dhe të zbatohen plotësisht detyrimet ligjore për ndërtim si dhe të ketë kontroll më rigoroz ndaj materialeve ndërtimore. Gjithashtu ata janë kundër mbindërtimeve, sidomos në objektet e vjetra.
“Unë jam kundër mbindërtimeve në cilindo objekt dhe qëndroj në këtë, sepse kështu në mënyrë drastike rrezikohet stabiliteti i objekteve”, tha Boris tanevski, Drejtor i institutit për kontrollin e materialeve.
Sipas drejtorit të Institutit të inxhinierisë sizmologjike Mihaill Garevski, duhet të ketë vëmendje të veçantë ndaj objekteve që janë ndërtuar para tërmetit të vitit 1963.
“Objektet më të padefinuara dhe më delikate janë objektet që janë ndërtuar para tërmetit të vitit 1963. Nëse një objekt është projektuar për dy kate, por atij i shtohen edhe dy të tjera, kjo nuk do të ishte në rregull, përveç nëse objekti nuk përforcohet dhe sanohet më shumë”, u shpreh ai.
Darko Mosllavac, dekan i Fakultetit ndërtimor në Shkup, propozon që objektet ekzistuese të analizohen nga aspekti sizmologjik.
“Në rast nevoje, nëse bëhet fjalë për ndonjë objekt publik, veçanërisht nëse ai është i vjetër dhe nëse dihet lëndueshmëria e tij sizmike, atëherë do të mund të ndërmerreshin masa të caktuara për përforcimin e tij sizmik”, tha ai.
Që ndërtimet të jenë cilësore, është e rëndësishme plotësisht të respektohet rregullativa ligjore. Sipas ekspertëve, vetëm në këtë mënyrë objektet e ndërtuara do të mund të konsiderohen rezistente ndaj dridhjeve sizmike.