22.06.2021 · përditësuar para 1839 dite1 min lexim
Ish-objekti i Gjykatës Komunale në Vushtrri është vendosur të martën në Listën e Trashëgimisë Kulturore, nën mbrojtje të përkohshme.
Kjo sipas vendimit të fundit të Ministrisë së Kulturës, sepse ndërtesa ka karakteristika arkitekturale, historike, kulturore dhe shoqërore, si dhe i takon grupit të objekteve me karakter publik-administrativ
“Në aspektin arkitektonik ndërtesa dallohet për nga formësimi i pastër vëllimor, proporcionet humane dhe elementet e thjeshta të kompozuara në një simetri vertikale, të theksuara në pamjen që ka.” shkruan në një postim në Facebook Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, transmeton Klankosova.tv.
Tutje thuhet se me ndërtimin e këtij objekti me destinim të ri, janë pasuruar funksionet administrative të qytetit duke e gjallëruar qendrën e qytetit.
“Sot ndërtesa posedon të gjitha vlerat kryesore arkitekturore, si ato te autenticitetit dhe ato stilistike, të cilat kanë potencial të ruhen si të tilla kurse funksioni t’i adaptohet nevojave dhe kërkesave bashkëkohore.” shkruan në postim.
Ish-objekti i Gjykatës Komunale në Vushtrri, i përket stilit të arkitekturës moderne, të ndërtuar në vitin 1963.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
L
SHKRIMI NGA
LiZe
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.