Lajmet e fundit

Besim Llugiqi, i cili është pronar i kompanisë “ING Company” sh.p.k, në vitin 2011, kishte planifikuar që në lagjen Tophane të Prishtinës, në pjesën ku njihet “te Qafa”, në rrugën “UÇK”, t’i nisë punimet e objektit afaristo-banesor.
Llugiqi i kishte bindur pronarët e ngastrave që pronat e tyre t’i japin në shfrytëzim të përhershëm, ku më pas të kompensohen me banesa e lokale, varësisht sa u takonin.
Fillimisht u paraqitën pesë pronarë. Me t’u nisur themeli i objektit, u paraqitën edhe tre të tjerë.
Për shkak të punimeve, dy shtëpi përreth filluan të çahen. E për këtë, të zotët e tyre pranuan t’i japin pronat e tyre për t’u bashkuar me të tjerët.
Punimet e objektit në zemër të Prishtinës nisën më 18 korrik të vitit 2012 e të njëjtat do duhej të përfundonin më së largu deri në shkurt të 2015-tës.
Pas katër muajsh u vendosën edhe vulat e 10 pronarëve në kontratën, e cila ishte përpiluar mirë e mirë nga noteri.
Aty, ndër të tjerash, për secilin veç e veç, theksoheshin edhe përfitimet që do t’i kenë këta të fundit.
Dikujt i takonin 2 banesa, dikujt 3, e dikujt tjetër 4 e 5 sosh, madje edhe me lokale afariste, garazhe e hapësira parkingu.
Në këtë kontratë, të cilën e ka siguruar Kiks Kosova, shkruhej qartë se kur dhe si do të nisnin punimet.
Aty bëhej e ditur edhe për obligimet e investitorit që i ka ndaj pronarëve, në rast se nuk i përfundon punimet brenda afatit të caktuar.
Pas përhairit, pronarët i numëronin ditët deri në përfundimin e punimeve, që së bashku me familje t’i gëzonin banesat e lokalet.
Nga ana tjetër, interesimi ishte i madh edhe për blerje.
Shumë prej tyre jetonin edhe në Perëndim, ku me blerjen e banesave synonin që të kenë edhe ata një shtëpi të veten në vendlindje.
Ani pse kontrata e obligonte investitorin që pronarëve t’ua dorëzojë banesat “me çelësa në dorë”, ai lëre se s’ua dha çelësat, por nuk ua siguroi as derën. /Klankosova.tv