Lajmet e fundit

Nën rrezet e diellit u mblodhën për të nderuar një veprim human që ngjau para rreth 80 vjetësh.
Si njohje e kontributit për familjet shqiptare që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit nazist të Luftës së Dytë Botërore, të mërkurën në Prishtinë u përurua “Muri i Nderit”, raporton Klan Kosova.
Emrat e 23 kryefamiljarëve u gdhendën në beton e për shefin e qeverisë kosovare janë dëshmi e miqësisë mes dy popujve.
Muri veç historisë, për kryeprishtinasin bart në vete edhe guximin e shqiptarëve të asaj kohe.
Për ish-kongresistin amerikan, Joseph DioGuardi, që zbuloi më 1990 shpëtimin e hebrenjve, ky vend do të jetë i shenjtë për komunitetin.
Të nderuar po ndjehen edhe familjarët që po njihet kontributi i tyre.
"Muri i nderit" është ngritur nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan dhe Shoqata e Miqësisë Kosovë – Izrael.