Romani më i ri i shkrimtarit Veton Surroi, “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”, i ka dhënë atij epitetin autor i vitit 2016.
Juria në përbërje të Ilire Zajmi-Rugova, kryetare dhe Anila Xhekaliut e Adem Gashit, anëtarë, mbrëmjen e së enjtes kanë vlerësuar se shkrimtari, gazetari e publicisti Surroi e meriton këtë çmim.
Vetë Surroi ka thënë se është nder i veçantë që në mesin e shpërblimeve të marrë shpërblim si shkrimtar.
“Është një sfidë personale, profesionale gjithashtu.Sfidë e cila tejkalohet edhe me përkrahjen e cila po jepet edhe nga Shoqata e Botuesve e Kosovës dhe nga kjo juri e respektuar. Të botosh sot nuk është më lehtë sesa ka qenë dje, por gjithsesi do të jetë më lehtë me më shumë lexues dhe me më shumë përkrahje si kjo e miqve sonte”, ka thënë Surroi.
Çmimin për romanin më të mirë sivjet, juria ia ka dhënë akademikut Mehmet Kraja për veprën “E zeza dhe e kuqja”, botuar nga shtëpia botuese “Onufri” në Tiranë.
Çmimi për vepër kapitale i është dhënë historianit anglez , Noel Malcolm, për veprën “Agjentë perandorakë”, të botuar në shqip nga shtëpia botuese “Dudaj” në Tiranë. Çmimi për librin më të mirë për kritikë, eseistikë dhe publicistikë i ka takuar gazetarit veteran, Nehat Islami, për librin “Një adresë në Bukuresht”, të botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica” në Prishtinë.
Ndërsa, çmimi “Shkrimtari i vitit” në radhët e shkrimtarëve të huaj i është dhënë amerikanes Jennie Dorny për librin, “Kupidët kokëkrisur”. Mysafirja e Panairit të sivjetmë ka thënë se libri i saj flet për dashurinë dhe miqësinë mes njerëzve të origjinave të ndryshme. “Në këtë libër kupidët janë përgjegjës për dashurinë dhe jetët e njerëzve. Kupidët jetojnë për dashurinë”, ka thënë ajo. Çmimi për veprën më të mirë me poezi i ka takuar autores Viola Isufaj për librin “Adama”, botuar nga shtëpia botuese “Ombra” në Tiranë, e ai për përkthyesin e vitit, Elvi Sidherit, i cili ka përkthyer një varg librash të autorëve të njohur botërorë.
Kurse, Avdi Shala për librin “Shkurtabiqët pa atdhe” të botuar nga shtëpia botuese “Zgjimi Prishtinë” u shpërblye për librin më të mirë për fëmijë.
Këtë vit është ndarë edhe një çmim i ri: ai për mikun e Panairit që i ka takuar shkrimtarit Musa Ramadani.
Kryetarja e jurisë Ilire Zajmi-Rugova ka thënë se meqenëse e enjtja ishte dita e tretë e Panairit ka qenë e vështirë të zgjidhet shtandi më i vizituar, pasi Panairi mbyllet të dielën. “Juria vendosi që shtandin më të vizituar ta zgjedhë atë të shtëpisë botuese ‘Dituria’ nga Tirana, e cila së bashku me shtëpinë botuese ‘Fan Noli’ sivjet festojnë 25-vjetorin e themelimit”, ka thënë Zajmi-Rugova.
Nga ana e tij, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, ka thënë se tradicionalisht çmimet janë ndarë një ditë para përmbylljes së Panairit, por në këtë edicion kanë ndryshuar gjërat shkaku i Kampionatit të futbollit.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.