Lajmet e fundit

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, ka mundësi të ndodhë duke bërë disa ndryshime në ligj, por diçka e tillë duhet të bëhet në koordinim në partneritet me aleatët strategjik dhe NATO-n.
''Kemi biseduar me NATO-n dhe partnerët e tjerë strategjikë, sipas tyre FSK mund të transferohet në FAK vetëm me ndryshime Kushtetuese''.
Kështu ka deklaruar Kryeministri i vendit Isa Mustafa para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në seancën e cila është duke u mbajtur edhe në këto momente, njofton Klan Kosova.
Mustafa në fjalimin e tij në Kuvend tha po ashtu se në vazhdimësi ka qenë në kontakt me NATO-n dhe SHBA-të e po ashtu dhe Listën Serbe për të arritur një marrëveshje të përbashkët që të jetë pozitive në formimin e ushtrisë së vendit.
''Poashtu kemi mbajtur dhe disa takime me deputetët e Listës Serbe ku u kemi dërguar dhe materiale por fatkeqësisht nuk kemi arritur përkrahjen e tyre për votimin në favor të formimit të ushtrisë. Do të ishte iluzion që Serbia të përkrah formimin e FAK-ut. Pra Serbia është ajo e cila po ndikon tek deputetët serb por ne duhet ende të punojmë me ta'', është shprehur Mustafa, njofton Klan Kosova.