Lajmet e fundit

Arbëri Nagavci, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, në Ora e Fundit të Klan Kosovës, ka thënë se shqetësimet e prindërve për mungesën e notave në ditarë të shkollës nuk janë të përligjura.
Ajo ka deklaruar se kjo është pjesë e sistemit të ri të vlerësimit, që kërkon nga profesorët mbajtjen e tyre në fletore elektronike, deri në fund të periudhës, kur vendoset finalja, njofton Klan Kosova.
"Dje ishte në vizitë në DKA dhe një profesor fizike dhe tregoi se janë në përfundim të procesit të vlerësimit. Zyrtarisht të hënën do të mbahet mbledhja e Këshillit të Arsimtarëve të shkollës 'Sami Frashëri' kur do të përmbyllet gjithcka. Mund të ketë qenë e panjohur për prindërit, por me kurrikulën e re, vlerësimi është i kësisojtë. Nxënësit duhet të kenë deri në tri nota për të gjithë vitin shkollor. Sipas udhëzimit të ri, arsimtarët duhet të vlerësojnë nxënësit vazhdimisht, por notat i mbajnë vetëm në fletoret elektronike".
"Ne i përcjellim vazhdimisht rezultatet e nxënësve. Normalisht i kemi edhe raportet e rregullta. Për këtë periudhë, pas përfundimit të vlerësimit, të gjitha shkollat duhet të dërgojnë raportet, në bazë të të cilave shihet gjithcka. Duhet të them se është sfiduese, si formë e re e vlerësimit". /klankosova.tv