Lajmet e fundit

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga Lëvizja Vetëvendosje, Mytaher Haskuka ka komentuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që kjo komunë të shkojë në rivotim.
Ai në një konferencë për media ka thënë se votat me kusht duhet të numërohen para se të shkohet në rinumërim dhe se sipas tij nuk ka pasur asnjë parregullsi në balotazhin e së dielës.
"Pse duhet të rinumërohen. Nuk duhet të ketë rinumërim kur ato nuk janë hapur dhe numëruar . Nga ana tjetër në ditën e zgjedhjeve PDK në Prizren nuk ka pasur asnjë raportim në polici, asnjë raportim për ndonjë problem ", tha ai, njofton Klan Kosova
“Të gjithë i kanë pasur vëzhguesit e tyre, asnjëri prej tyre nuk ka raportuar asnjë problem”.
Ai tha se vetëm Vetëvendosje kishte raportuar për disa parregullsi në disa shkolla të Prizrenit, ku ai pohon se ka pasur persona të paautorizuar me bexha falso të cilët janë munduar të ndikojnë te votuesit.
Haskuka tha se ka kërkuar edhe raportet e shoqërisë civile dhe Demokracisë Në Veprim, dhe tha se nuk ka pasur problem.
Ai tha se është injoruar nga gjyqtarët e PZAP-së deklarata e disa vëzhguesve të PDK-së të cilët kanë deklaruar se kanë qenë nën trysni dhe të kërcënuar.
“Gjyqtarët e PZAP kanë bërë vepër penale”, tha lidhur me këtë Haskuka.
“Kërkoj edhe njëherë që të gjithë të bashkëpunojmë që ta mbrojmë vullnetin e qytetarëve të Prizrenit dhe Prishtinës”, tha ai.