Lajmet e fundit

Sot, është një ditë e veçantë për kombin shqiptar, pasi Shqipëria feston 110-vjetorin e mëvetësisë.
Në lidhje me këtë Istref Dobi, Drejtor i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë, ka thënë se në zyrën ku ka qëndruar kryeministri i parë shqiptar, Ismail Qemali, është bërë edhe mbledhja e parë e qeverisë.
Dobi potencoi se të gjitha gjërat në këtë zyrë janë në origjinale, praktikisht nuk është ndërruar asgjë, njofton Klankosova.tv.
“Sot është dita më rëndësishme e këtij muzeu, për arsye se numri i vizitorëve është i barabartë më gjithë vitin. Padyshim nga pikëpamja, ky muze është Meka e shqiptarëve, vinë nga mbarë shqiptaria për të festuar”, ka thënë Dobi në InfoMagazine, në Klan Kosova.
“Kjo është shtëpia ku ka funksionuar qeveria e Ismail Qemalit, në këtë shtëpi kanë ardhur në 4 dhjetor 1912, një javë pas shpalljes së pavarësisë. Kuvendi i Vlorës është zhvilluar në një godinë tjetër, që nuk ekziston sot. Ka qenë pronë e Eqrem bej Vlorës, nga fisi i Ismail Qemalit”.
“Kjo praktikisht ka qenë zyra e Ismail Qemalit. Këtu ka bërë mbledhjen e parë të qeverisë. Këtu ne e quajmë thesarin e zyrës, të gjitha gjërat janë në origjinal, ne mundohemi ta mirëmbajmë sa më mirë në maksimum”, theksoi Dobi. /Klankosova.tv