Lajmet e fundit

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën ceremoniale për festimin e Ditës së Komunitetit Boshnjak në Kosovë.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministra, deputetë dhe zyrtarë të pushtetit lokal, përfaqësues të komunitetit boshnjak anekënd Kosovës, zyrtarë të misioneve dhe organizatave ndërkombëtare si dhe qytetarë të komunitetit boshnjak të Kosovës.
Me këtë rast, shefi i ekzekutivit tha se historia e komunitetit boshnjak është histori e ndërtimit të urave të përbashkëta, duke dëshmuar vlera të ndërtuara me punë dhe përkushtim.
Ai poashtu tha se Dita e Komunitetit Boshnjak është bërë një festë zyrtare e Republikës së Kosovës, e cila shënohet me respekt dhe e cila e respekton edhe historinë tonë të përbashkët.
“Prandaj, vlerësoj se ne kështu vazhdojmë traditën e begatshme të vendit tonë, në të cilin jetojmë bashkërisht, diversitetin kulturor, diversitetin etnik dhe fetar, dhe jemi të angazhuar që këtë diversitet ta forcojmë dhe ta mbajmë në vazhdimësi. Historia e komunitetit boshnjak në Kosovë është shembull i jetës së përbashkët, është histori e jona, ku bashkë e kemi ndarë të mirën dhe të keqen, është një histori me shumë mundime, por një histori e lavdishme dhe shumë e dinjitetshme”, tha ai.
Duke vlerësuar se kjo festë nuk është vetëm festë e boshnjakëve po është festë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, kryeministri Mustafa tha se këto raporte e bëjnë Kosovën më të mirë, më të bukur dhe një vend me të cilin krenohemi të gjithë bashkërisht, transmeton Klan Kosova.