Lajmet e fundit

Kryeministri Isa Mustafa, ka thënë se qytetarët duhet të jenë të informuar rreth marrëveshjeve me Serbinë para se të nënshkruajnë një peticion kundër tyre dhe se është faji vetë kosovarëve por edhe i disa ndërkombëtarëve që serbët e Kosovës nuk u integruan në shoqëri me kohë dhe Mitrovica mbeti e ndarë.
“Sigurisht se ka shumë nga qytetarët, të cilët po nënshkruhen në peticionin e opozitës, e të cilët nuk e kanë lexuar “Marrëveshjen e Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve”, të dt. 19.04.2013, “Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare që Rregullon Normalizimin e Marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë” ka shkruar ai në Facebook. “Qytetarët duhet të informohen çfarë përmbajnë këto dokumente, kush i votoi ato në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kush nuk mori pjesë fare në votim, ndërkaq ishte prezent”.
“Çështje tjetër është se a është dashur të ndodhë Asociacioni apo jo. Ai nuk do të ndodhte sikur të arrinim ti integrojmë me kohë serbet e Kosovës dhe sikur, me fajin tonë, por edhe të disave nga bashkësia ndërkombëtare të mos mbetet e ndarë pjesa veriore e vendit, nën ndikimin e plotë të Serbisë. Tani, kjo është zgjidhja që përkrahet nga miqtë tanë, të cilët na ndihmuan ta çlirojmë vendin, ta shpallim pavarësinë dhe ta ndërtojmë shtetin e pavarur”.