Lajmet e fundit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në 26 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike në Shqipëri, ka kujtuar fillet e themelimit të kësaj partie.
“26 vjet më parë, më 11 dhjetor 1990, studentët, qytetarët dhe elita intelektuale e Shqipërisë themeluan Partinë Demokratike të Shqipërisë. PD-ja kanalizoi vullnetin dhe vizionin e popullit të Shqipërisë për rrëzimin e diktaturës dhe nisjen e rrugëtimit transformues në shoqëri të hapur, pluraliste, me ekonomi të lirë të tregut dhe në përputhje me të gjitha vlerat europerëndimore”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në Facebook, transmeton Klan Kosova.
Ai ka thënë se PD-ja bashkë me LDK-në dhe parti të tjera simotra në rajon u shndërrua në motor transformues të Shqipërisë duke qenë bartëse e projektit evropianizues dhe euroatlantik.
“Partia Demokratike sot jep kontribut të çmuar në jetën demokratike dhe rrugën e Shqipërisë drejt progresit të gjithanshëm. Urime kryetarit Lulzim Basha dhe të gjithë zyrtarëve e anëtarëve të PD-së. Gëzuar!”, ka përfunduar Mustafa.