Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, të kryesuar nga shefi i këtij misioni, Jacques Miniane.
Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi e Ramiz Kelmendi, si dhe ministrat Avdullah Hoti e Arban Abrashi, u bisedua për të arriturat në fushën e zhvillimit ekonomik, rezultatet e reformave fiskale, ambientin e të bërit biznes si dhe për stabilitetin buxhetor në vend, thuhet në njoftimin e Qeverisë, përcjellë Klan Kosova.
“Mustafa e njoftoi delegacionin e FMN-së për arritjet e Qeverisë së Kosovës, për projeksionet buxhetore dhe realizimin e tij të suksesshëm”.
Mustafa ka falënderuar shefin e FMN-së për mbështetjen e deritashme.
Ndërsa Miniane, “vlerësoi progresin në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë për adresimin e çështjeve me qëllim të zhvillimit ekonomik”, shkruan Qeveria në njoftimin për media.
“Misioni vlerësoi hapat që koalicioni qeveritar ka ndërmarrë gjatë propozimit të Ligjit për Buxhetin për vitin 2017, sipas qëndrimeve të harmonizuara, por si kusht që Kosova të mbetet brenda programit me FMN-në, kërkoi që të adresohen konkretisht masat dhe instrumentet që do të siguronin që vitin e ardhshëm të mos tejkalohet masa e mjeteve për veteranë dhe invalidë të luftës, dhe rregullimi i tyre me ligj, para fillimit të implementimit të Ligjit për Buxhetin”.
klankosova.tv