Lajmet e fundit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e bizneseve anëtare të Komitetit Lindor të Ekonomisë Gjermane, me të cilët është diskutuar për mundësitë e investimeve në Kosovë.
Kryeministrin Mustafa në takim e kanë shoqëruar edhe ministri Financave, Avdullah Hoti dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.
Kompanitë e pranishme në këtë takim ishin Siemens, Opel, Veridos, AIRBUS dhe Papenburg.
Mustafa i ka informuar përfaqësuesit e bizneseve për reformat e gjithmbarshme që po ndërmerr Qeveria e Kosovës për përmirësimin e vazhdueshëm të klimës së biznesit në Kosovë.
Duke theksuar se ekonomia është prioriteti kryesor i Qeverisë, kryeministri Mustafa dhe anëtarët e delegacionit të Kosovës theksuan edhe masat konkrete që kanë për qëllim mbështetjen dhe zhvillimin ekonomik, përmirësimin e ambientit të biznesit, avancimin e politikave fiskale dhe hapat e tjerë që kanë për qëllim lehtësimin e investimeve të huaja në Kosovë.
Gjatë takimit u bisedua edhe për projekte konkrete si në sektorin e energjisë, në infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore, në bujqësi e fusha të tjera të ekonomisë, të cilat mund të përkrahen edhe nga institucionet e ndryshme financiare, si Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Evropiane Investive, KfW, etj.