Lajmet e fundit

Kryeministri i vendit Isa Mustafa përmes një mesazhi ka përkujtuar 14 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
" Sulmet e 11 shtatorit 2001 na tmerruan të gjithëve, por nuk arritën për asnjë moment të thyejnë shpirtin e paepur të kombit amerikan, i cili u ringrit edhe më i fuqishëm dhe më i vendosur kundër të keqes, duke dëshmuar fuqinë, vizionin dhe unitetin global në mbrojtje të vlerave të shenjta të lirisë dhe të civilizimit perëndimor."
"14 vjet pas këtyre akteve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë bota demokratike, vazhdojnë të jenë të bashkuara në luftën kundër të keqes, duke garantuar triumfin e vlerave të demokracisë përballë kërcënimit permanent terrorist" thuhet në mesazhin e shefit të ekzekutivit kosovar .
Në këtë të fundit më tej theksohet se në këtë ditë përkujtimi dhe krenarie, qytetarët e Kosovës qëndrojnë bashkë dhe solidarizohen me familjet e viktimave dhe mbarë popullin amerikan.
"Kosova dhe populli i saj janë përjetësisht mirënjohës për kontributin e pazëvendësueshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për çlirimin e Kosovës dhe për zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit tonë' tha Mustafa, transmeton Klan Kosova.