Lajmet e fundit

Kryeministri Isa Mustafa po del të jetë më dorështrënguar se paraardhësi i tij Hashim Thaçi.
Me iniciativën e tij që vie nga fusha e financave, të mirat që gëzojnë ministrat e tij, zëvendësit e tyre, shefat e kabineteve, këshilltarët politik, sekretarët e përgjithshëm, kryeshefat e agjencive e drejtorët e departamenteve do të jenë më të pakëta kur bëhet fjalë për shpenzimet e reprezentacionit, njofton Klan Kosova.
Kjo pasi në ekzekutiv miratimin po pret Udhëzimi i ri Administrativ për Shpenzimet e kësaj natyre, që parasheh përgjysmimin e tyre.
Nga 500 euro që ka në dispozicion secili nga 19 ministrat brenda muajit për reprezentacion, udhëzimi i ri parasheh që ky buxhet të zbritet në 300 euro.
Paratë për këtë kategori pritet të përgjysmohen edhe për zëvendësit e tyre që aktualisht numërohen rreth 35 sosh.
Këta nga 200 euro që patën në dispozicion pritet të kenë përgjysmë më pak.
Para më pak pritet të kenë edhe drejtues tjerë institucional.
Ndërkohë, kursim parash po planifikohet edhe në shpenzimet për shërbime telefonike.
Udhëzimi i ri rreth Shpenzimeve të Telefonisë Fikse dhe Telefonisë Mobile parasheh që zëvendëskryeministrat dhe ministrat e kabinetit qeveritarë të kenë në dispozicion 150 euro nga 250 sa kishin deri tani.
Udhëzimi i ri ka parapa edhe komunikimin brenda zyrtarëve të institucioneve.
Aty kërkohet që ky komunikim të bëhet me telefon fiks.
Iniciativa e fundit që ende nuk ka marr pëlqimin përfundimtarë brenda kabinetit qeveritarë bëhet e ditur se ka të bëjë me planin e qeverisë për shkurtim shpenzimesh .
Por merret vesh se kjo iniciativë hasi në kundërshti nga një pjesë e zyrtarëve që preken nga ky udhëzim.
Kronikë nga Avdyl Pajaziti.