Lajmet e fundit

Kryeministri Isa Mustafa, po thotë sërish që Komisioni Qeveritar për Demarkacionin me Malin e Zi, nuk ka asgjë të gabuar dhe se protesta e thirrur me 1 shtator nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk mund t’i ripërcaktojë kufijtë shtetërorë që ka kohë që janë të tillë.
“Kufiri me Malin e Zi është ai në të cilin ka ndërhyrë Aleanca Veriatlantike në krye me SHBA-të, i definuar në Marrëveshjen e Kumanovës, i “vizatuar” me Planin e Ahtisarit, i respektuar me Planin Hapësinor të Republikës së Kosovës dhe me Planin Zhvillimor të Komunës së Pejës".
"Komisioni Shtetëror për shënjimin e vijës kufitare nuk ka përcaktuar kufij të rinj, ka respektuar kufijtë në të cilët kemi shpallur pavarësinë. Prandaj , garat me harta dhe me dokumentacion kadastral, ndërmjet Komisionit Shtetëror dhe disa ekspertëve që kanë marrë bajrakun për të treguar se cilët duhet të jenë kufijtë e Kosovës e humbin rëndësinë. Kufijtë për Kosovën janë caktuar kur është çliruar Kosova dhe kur është shpallur pavarësia. Nuk caktohen sot, as në mbledhjen e 1 Shtatorit”.
Ai po ashtu shkruan se Kosova e ka fatin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndërhyjnë në çështjet e brendshme të saj, për shkak se këtij shteti, vendi i është borxhli.
“Janë këta kufij që i njohin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe komuniteti ndërkombëtar. Në deklaratat tona munda ta zgjerojmë Kosovën sipas orekseve dhe kuteve politike, por realiteti është se kufijtë ndërkombëtar nuk janë vullnet i vetëm një pale. Janë vullnet i dy palëve, i cili në rastin tonë është nënshkruar në nivel qeveritar, dhe vullnet i atyre që na kanë ndihmuar të çlirohemi, ta shpallim pavarësinë dhe po na përkrahin në shtet-ndërtim".
"Ne duhet të ndihemi të nderuar dhe të respektuar që me çështjet tona merret edhe zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. SHBA nuk i kanë borxh Kosovës, ne u kemi borxh Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe komunitetit ndërkombëtar për gjithë atë që e bënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës përfshirë edhe viktimat njerëzore të tyre”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.