Lajmet e fundit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa duke komentuar raportet e organizatave ndërkombëtare për progresin në Kosovë, ka thënë se këto rezultate janë arritur më punë dhe jo më zhurmë.
Mustafa zgjodhi faqen e tij zyrtare në Facebook për t’i shpalosur arritjet e qeverisë.
Ky është statusi i tij i plotë:
“Janë tre organizata më kredibile ndërkombëtare që e lavdërojnë Kosovën dhe qeverisjen e saj: Freedom House (SHBA), Banka Botërore dhe Tubimi më i madh botëror i bizneseve.
Freedom House (Grafiku 1) evidenton se vetëm Kosova ka përmirësim nga vendet e rajonit në luftën kundër korrupsionit, në pavarësinë e gjyqësorit, si dhe në pavarësinë e mediave.
Gjatë këtij viti, 450 investitorë nga 54 vende të botës, si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore e asociacioneve të biznesit nga e gjithë bota, i akorduan Kosovës çmimin për "Qeverinë më të mirë në Evropën Juglindore për mbështetjen e ndërmarrësisë".
Banka Botërore konfirmoi se rritja ekonomike në Kosovë më 2016 ishte më e larta në Ballkanin Perëndimor dhe se ka kontribuar konsiderueshëm në krijimin e vendeve produktive të punës.
Këto rezultate u arritën me punë dhe jo me zhurmë e propagandë e as me fushata. Ato figurojnë në raportet e institucioneve botërore. Nuk shlyhen!”