Lajmet e fundit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë të enjten se Modeli i Qeverisjes Lokale në Suharekë dhe në gjithë Kosovën, bazohet në zhvillimin ekonomik, lokal, krijimin e qeverisjes së mirë dhe me duar të pastra, arsim dhe shëndetësi cilësore dhe perspektivë për të gjitha moshat.
“LDK është parti e qendrës së djathtë, dhe si e tillë ajo mbanë sektorin privat – iniciativën private – në qendër të besimit të saj ideologjik e politik. Kjo është dëshmuar në vazhdimësi gjatë qeverisjes së LDK-së, qoftë në politikën e taksave, të pakove fiskale, të lehtësirave burokratike, të infrastrukturës e të trajtimit të bizneseve”, ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të bizneseve në Suharekë, kreu i LDK-së ka thënë se kjo parti në këto zgjedhje lokale ka program të qartë për zhvillim ekonomik lokal për secilën komunë, varësisht prej specifikave të komunës.
Ndërsa, kryetari aktual dhe kandidati për t’u rizgjedhur në këtë post, Sali Asllanaj, ka thënë se programi i tij në katër vitet e ardhshme do të fokusohet për zhvillimin ekonomik të komunës.
“Zona industriale në Shirokë e Agrozona në Samadraxhë janë krenari për ne dhe ato do t’i fuqizojmë edhe më tepër. Bizneset do t’i përkrahim edhe më shumë, do të krijojmë vende të reja pune. Bujqësia do të ketë rritje 50 për qind e buxhetit, turizmi malor do të zhvillohet, ndërtimi i rrugës për Brezovicë do të ndikojë që ne të jemi aneks i turizmit dimëror, sepse do të jemi vetëm dhjetë minuta larg Dellocit. Këto premtime do të realizohen, sepse janë obligime për ne”, ka thënë Asllanaj.
Në këtë tubim janë prezantuar të gjithë kandidatët e LDK-së për Këshilltarë të Kuvendit Komunal të Suharekës, transmeton Klan Kosova.