Lajmet e fundit

Kryeministri Isa Mustafa, po merr pjesë sot në punimet e samitit të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian, pjesëtarë të grupit të Partive Popullore Evropiane (EPP), që po zhvillohet në Bruksel.
Kryetarët e shteteve dhe të qeverive dhe liderët e opozitës, anëtarë të EPP-së, së bashku me kryetarët e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian, Donald Tusk dhe Jean-Claude Juncker, do të marrin pjesë në këtë samit, i cili zhvillohet në Bruksel.
Në rendin e ditës do të jetë përgatitja e Këshillit Evropian, i cili do të mbahet më 25 dhe 26 qershor.
Siç bëhet e ditur në një komunikatë për media të zyrës së mustafës , presidenti i EPP-së, Joseph Daul do të udhëheq punimet e këtij samiti, transmeton Klan Kosova.
Krahas shefit të qeverisë kosovarë në këtë takim do të jenë të pranishëm edhe liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si kancelarja gjermane Angela Merkel, Mariano Rajoy, Viktor Orban, Nicolas Sarkozy dhe krerë të tjerë të partive të djathta evropiane.
Mustafa do të zhvillojë takime bilaterale me kryeministrat dhe liderët e partive të djathta evropiane, të cilët do t’i informoj me zhvillimet e fundit në Kosovë.
Kryeministri Mustafa gjithashtu do të shfrytëzoj edhe këtë mundësi për të kërkuar nga homologët e tij përshpejtimin e procedurave për liberalizimin e vizave me qëllim që qytetarët e Kosovës sa më shpejt të kenë mundësinë e qarkullimit të lirë në BE.