Lajmet e fundit

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka vizituar nga afër punimet në rrugën nacionale Klinë-Pejë, me ç’rast është ndalur në disa pika të kësaj rruge duke filluar nga Zahaqi, ku po ndërtohet edhe një nënkalim si dhe disa pika të tjera deri në hyrje të Pejës.
Gjatë kësaj vizite, ku shoqërohej nga ministrat Lutfi Zharku, Hykmete Bajrami dhe Arban Abrashi si dhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, kreu i ekzekutivit është informuar për mbarëvajtjen e punëve si dhe ka biseduar me qytetarët për çështje të ndryshme që lidhen me jetën e tyre.
Mustafa u shpreh i lumtur për vazhdimin e këtij projekti, i cili do të zgjeroi hyrjen në qytetin e Pejës.
“Jam i gëzuar që tani në Komunën e Pejës po zhvillohet ky projekt i cili është i kontraktuar më parë, sepse do të zgjerohet hyrja në qytetin e Pejës. Do të bëhet shumë më e përshtatshme edhe për qytetarët e Pejës por edhe për të gjithë ata që e vizitojnë këtë qytet shumë të bukur turistik, që e meriton një vëmendje të veçantë jo vetëm të Kosovës por edhe të regjionit”, ka theksuar kryeministri, transmeton Klan Kosova.