Lajmet e fundit

Kryeministri Isa Mustafa, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shpalosur disa nga detajet e takimit të tij në Samitin e krerëve të shteteve të BE-së, njofton Klan Kosova,
Mustafa bëri të ditur që në fjalimin e tij të rastit,në Samitin e EPP-së, ka njoftuar për arritjet që janë bërë në vend përderisa theks të veçant pati me kërkesën e tij për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës ngase sipas tij të pranishmit ishin njoftuar për përmbushjet e të gjitha rekomandimeve dhe kritereve të kërkuara nga ana e vendit.
‘’Sot në fjalën time të rastit, në punimet e Samitit të krerëve të shteteve dhe të qeverive të shteteve të BE-së dhe atyre jo anëtare të BE-së, pjesëtare të Partive Popullore Evropiane (EPP), i njoftova të pranishmit lidhur me reformat ekonomike, angazhimet në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, zhvillimet aktuale, si dhe arritjet e tjera në Republikën e Kosovës.
Theks të vecantë në fjalim, por edhe në bashkëbisedimet e tjera, ishte kërkesa ime për mbështetjen e liderëve politikë dhe institucionalë anëtarë të EPP-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke i njoftuar ata për përmbushjen e të gjitha rekomandimeve dhe kritereve të kërkuara, nga ana e Kosovës.
Qytetarët e Kosovës me të drejtë presin vlerësim dhe vendim pozitiv të mekanizmave të BE-së për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, dhe ky vendim do të vie shumë shpejt.’’, thuhet në postimin e Kryeministrit Mustafa në Facebook, njofton Klan Kosova.