Lajmet e fundit

Isa Mustafa ka përcjellë nga afër fushatën e korrje-shirjeve në disa nga fshatrat e Komunës së Lipjanit.
Ai është shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi dhe nga kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti.
Kryeministri ka thënë se në sektorin e bujqësisë deri më tani është punuar mjaft dhe se ka rendimente mjaft të larta.
“Kemi arritur në Kosovë që afër 50% të korrjeve t’i përfundojmë deri më tani. Është punuar mjaft shumë. Janë rendimente të cilat në vise tjera nuk janë aq të pritura dhe aq të dëshiruara, mirëpo për fat të mirë këtu në Komunën e Lipjanit rendimentet janë mjaft të larta. Në këto parcela ku jemi, arrijnë deri në 5-6 mijë kilogramë për hektarë, që është rendiment shumë i lartë”, ka thënë Mustafa.
Kryeministri ka bërë të ditur se këtë vit në Kosovë, prodhuesit bujqësorë janë subvencionuar me rreth 6 milionë e gjysmë euro grurë, ndërsa në përgjithësi janë dhënë 23 milionë euru subvencionime në sektorin e bujqësisë, ndërsa 20 milionë të tjera për grante.
“Është një përkujdesje shumë e madhe e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për prodhimtarinë primare bujqësore. Ne dëshirojmë që edhe më tutje të nxisim prodhimtarinë, dëshirojmë që edhe më tutje të përpunojmë produktet bujqësore, dhe të arrijmë që të zëvendësojmë për aq sa është e mundur importin me prodhimtarinë bujqësore dhe atë ushqimore vendore”, ka deklaruar kryeministri.