Lajmet e fundit

Kryeministri Isa Mustafa, me rastin e Krishtlindjes, ka uruar besimtarët katolikë dhe ipeshkvin e Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, si dhe të gjithë besimtarët e tjerë të krishterë dhe qytetarët e Kosovës, të cilët e kremtojnë Festën e Krishtlindjes.
Duke përcjell urimet më të përzemërta për këtë festë të shenjtë, kreu i ezkekutivit kosovar ka theksuar se Krishtlindja përfaqëson paqen, mirëkuptimin, mirësinë, mëshirën, shpresën dhe zemërgjerësinë.
“Festa e Krishtlindjes përcjell te njerëzit e vullnetit të mirë forcën e besimit, vlerat e humanizmit si dhe forcon virtytet e besimtarëve anekënd botës”, theksoi kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, tha se Krishtlindja sivjet, ka një simbolikë të veçantë për popullin e Kosovës, pasi që shënon miratimin e Papa Françeskut për t’i hapur rrugë shenjtërimit të Nënës Terezë.
Më tej, ai iu ka uruar Festën e Krishtlindjes përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, të cilët po japin kontribut të çmuar në ecjen përpara të shtetit të Kosovës, transmeton Klan Kosova.