Lajmet e fundit

Kryeministri Isa Mustafa, po shprehet të jetë shumë i kënaqur me progresin në ekonomi që sipas tij ka bërë qeveria.
Në profilin e tij në Facebook Mustafa ka shkruar se qeveria që ai drejton, ka arritur t’i përmbushë premtimet për zhvillim ekonomik të vendit.
“Dy vite të këtij mandati i shënuam me rritje të lartë dhe të qëndrueshme ekonomike, me ulje të papunësisë së përgjithshme, me fuqizim të sektorit privat të ekonomisë. Aprovuam Ligjin për Trepçën, Ligjin për Investime Strategjike, e kaluam fazën e parë të reformave fiskale dhe po e përmbyllim shumë shpejtë fazën e dytë të këtyre reformave. Siguruam ndryshimet e Ligjit për Veteranët dhe plotësuam kërkesat për vazhdim në programin e FMN-së”, ka shkruar Mustafa.
Kreu i qeverisë ndër të tjerash thotë se edhe për Brezovicën do të gjejë investitorë, ani pse projekti për ndërtimin e resorit ka dështuar disa herë nën qeverisjen e tij.
“Shpejt do të fillojmë me operacionalizimin e investimit në TC Kosova e Re, prej rreth një miliard euro. Do të gjejmë edhe investitor për Brezovicën. Po e zbatojmë Marrëveshjen për Stabilizim Asociim dhe Agjendën e Reformave Evropiane. Të gjithë, me përgjegjësi, po e bëjnë punën e tyre. E gjithë kjo siguron një rritje të fuqishme ekonomike sidomos në vitet në vijim. Duhet tu gëzohemi sukseseve tona por të synojmë edhe më shumë”, ka thënë kryeministri, raporton Klan Kosova.