Kryeministri Isa Mustafa, i është përgjigjur Elona Kastratit, aktiviste për barazi gjinore qe ndërmori aksionin me mesazhin “Trimëria nuk njeh gjini”, të cilin e kishte shkruar në peceta higjienike të ciklit menstrual, me anë të të cilave ajo tentoi t’i bëjë thirrje kreut të qeverisë, që të mos i diskriminojë gratë me fjalë patriarkale.
Mustafa në profilin e tij në Facebook ka shkruar se është dakord me Elonën.
“Pajtohem plotësisht me Elona Kastratin, se trimëria nuk ka gjini”.
Këto reagime publike të Elonës e Mustafës, kanë ardhur pasi kryeministri gjatë një interviste në Radio Televizionin e Kosovës, duke iu drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje kishte thënë se nëse duan që të hyjnë në shtëpinë e tij, të vijnë me burra e jo me gra.
Në shkrimin e tij që e publikoi në rrjetin social, kryeministri duke i sqaruar Elonës rëndësinë e pronës private thotë:
“ Por sigurisht se do të pajtohet Elona me mua se sulmi ndaj shtëpisë dhe pronës private, nuk është trimëri as e burrave dhe as e grave”.
“Meqenëse Elona jeton në Gjermani, ajo e di se prona private është e paprekshme, është e shenjtë. “Ndryshe nuk është trimëri të sulmohet një shtëpi nga një grup meshkuj e gra, djem e vajza, as në emër të protestës e as të trimërisë, sepse në shtëpi ka fëmijë të vegjël të cilët nuk e kuptojnë trimërinë dhe guximin e atyre që i atakojnë”
“Nuk mund ta kuptojnë as prindërit e tyre, nuk e lejon ligji”.
“Gra e burra, vajza e djem keni të drejtë të tregoni mençuri, guxim e trimëri në institucione,në shkolla e fakultet, e jo ndaj familjeve dhe pronave private. Nuk është trimëri dhe mençuri as të shkatërrohet prona publike, e cila është krijuar me djersën e qytetarëve tanë. Të gjitha këto trimëri i ka rregulluar ligji”.
klankosova.tv