Anëtari i kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa, ka kritikuar qeverinë e vendit se në vazhdimësi ka proklamuar rritje të vendeve të punës, por sipas tij, në realitet ka rënie të rritjes ekonomike.
Mustafa tha se faktori kryesor i rënies së papunësisë është migrimi, teksa shtoi se papunësia nuk mund të trajtohet ndaras nga ajo çka ndodh në ekonomi.
“Faktori kryesor i rënies së papunësisë është migrimi. Në vitet e fundit, numri i qytetarëve të Kosovës që kanë marrë leje-qëndrim vetëm në vendet e BE-së është 209 mijë dhe këto të dhëna reflektojnë në të dhënat e papunësisë”.
“Papunësinë nuk mund ta trajtojmë ndaras nga ajo çka ndodh në ekonomi. Nëse e shohim se çka ka ndodhur në ekonomi vitet e fundit, shohim se rritja mesatare ekonomike që nga ardhja në pushtet e kësaj qeverie është 3.5%, që është më e ulët sesa mesatarja e rritjes ekonomike përpara se kjo qeveri të vinte në pushtet. Para se kjo qeveri të vinte në pushtet, mesatarja e rritjes ekonomike ishte diku 4.6% ndërsa tani kemi një ngadalësim”, tha Mustafa në Rubikon në Klan Kosova.
Më tej, ai tha se në të gjitha këto rrethana, nuk ka se si të rritet punësimi në një vend ku nuk ka shtim të aktivitetit ekonomik, derisa sipas tij, struktura e ekonomisë është e njëjta me atë të mëhershmen.
https://www.youtube.com/watch?v=ORzY8N0vsvQ
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.