Lajmet e fundit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka filluar sot një vizitë zyrtare në landet e Baden- Württembergut dhe të Bavarisë në Gjermani.
Në një konferencë për media, Mustafa, në fillim ka folur rreth fluksit të kosovarëve që kanë kërkuar azil në vendet evropiane në fillim të këtij viti.
“Ne kemi arritur që të ndalojmë fluksin dhe ta kontrollojmë plotësisht atë”.
“Nuk dëshirojmë që asnjë njeri nga Kosova të vjen dhe të kërkojë azil”.
“Kjo sepse ne e konsiderojmë Kosovën si vend të sigurt të origjinës”.
Mustafa më pas u ka bërë thirrje të gjithë që shkuan në Gjermani në fillim të vitit 2015 që të kthehen në Kosovë.
“Jemi të hapur se të gjithë që kanë ardh këtu të kërkojnë azil të kthehen në Kosovë”.
Kryeministri më pas ka shtuar se do dëshironte që kosovarët të shkonin në këtë land vetëm në rast shkollimi dhe me patjetër në mënyrë legale.
“Ne e vlerësojmë landin tuaj sepse keni shkolla shumë të mira profesionale”.
“Ne kemi nevojë t’i përdorim këtë mbështetje, në shkollimin e njerëzve tanë”.
Gjithashtu Mustafa u ka bërë thirrje bizneseve të këtij landi gjerman që të investojë në Kosovë.
“Ne jemi të interesuar që të vijnë sa më shumë biznese dhe të investojnë në Kosovë”.
“Ne më nuk kërkojmë ndihmë, por bashkëpunim”.
“Sepse ajo është ndihma më e madhe që mund të na jepni”.
Kryeministri Mustafa, ka shprehur falënderim ndaj shtetit gjerman për ndihmën që i ka dhënë Kosovës.
“Unë ju falenderojë juve dhe shtetin gjerman, në përkrahjen në integrime evropiane”.
“Me përkrahjen tuaj ne e kemi nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asocim”.
“Ne e kemi përkrahjen e Gjermanisë edhe në procesin e liberalizimit”.
Mustafa ka bërë të ditur se Kosova nuk mund të zhvillohet ekonomikisht pa përkrahjen e Bashkimit Evropian.
“Ne po zhvillojmë një ekonomi të tregut të hapur, e i kemi dhënë prioritet themelor zhvillimit ekonomik dhe konsiderojmë që nuk mund të zhvillohemi nëse bizneset tona janë të kufizuara në tregun e BE-së”.
Gjithashtu ai ka bërë të ditur se shteti i Kosovës e përkrah luftën kundër terrorizmit.
“Jemi të gatshëm të jemi aleat në luftën kundër terrorizmit së bashku me gjithë popujt evropian dhe popujt e tjerë”.
Mustafa është i shoqëruar nga ministrat Hykmete Bajrami, Blerand Stavileci dhe Arban Abrashi.