Lajmet e fundit

Kryeministri Isa Mustafa ka ndarë sot Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” për shkrimtarin e mirënjohur Arif Demolli.
Me këtë rast, kryeministri Mustafa shprehu kënaqësinë e tij që ndau shpërblime për veprat të cilat po e bëjnë historinë e letërsisë shqipe në Kosovë.
“Mund të jem pak subjektiv sepse ne kemi qenë shok klase, kemi kryer tetë vite bashkë në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë.
Natyrisht që Arifi nuk ka qenë vetëm nxënës në shkollë, ka qenë shkrimtar, që nga viti i parë i shkollës fillore, ka qenë njeri prej të cilit kemi mësuar shumë.
Është njeri i cili ka një krijimtari të mrekullueshme, që ka siguruar gëzimin e fëmijëve dhe ka krijuar gjuhën e fëmijëve që s’e kanë bërë tjerët, prandaj ka shumë merita. Ka shumë më shumë merita se sa që mund t’i japim ne sot përmes çmimit kombëtar për veprën e tij jetësore.
Unë e uroj për këtë. Uroj që të shkruaj edhe gjatë, që edhe gjatë të kemi vepra të tij, dhe që të bashkëjetojmë në frymën që ai ka krijuar të një gjuhe të thjeshtë shumë të kuptueshme, dhe të një veprimtarie tepër të çmueshme për ne në Kosovë por edhe jashtë Kosove”, tha kryeministri Mustafa.
Nga ana e tij, laureati i shpërblimit më të rëndësishëm në letërsi, Arif Demolli, shprehu dëshirën që ky çmim të jetë motivim për veprat e ardhshme.
“Vetë edhe formulimi për vepër jetësore, pak më tingëllon si trishtueshëm, sikur erdh tek një pikë, sikur ka marrë fund gjithçka. Mirëpo unë besoj, kam dëshirë, dhe uroj të gjithë ata që e kanë fituar këtë çmim dhe do ta marrin, që kjo pikë të bëhet presje, dhe jeta të na vazhdoj dhe të krijojmë diçka të re”, theksoi Demolli.