Lajmet e fundit

Ish-kryetari i Prishtinës, njëherit, Isa Mustafa, ka kërkuar të tregohet se çfarë projekti e ka filluar dhe përfunduar Lëvizja Vetëvendosje gjatë qeverisjes së tyre katërvjeçare në Prishtinë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës përmes një postimi në Facebook përmendi projektet e mëdha për të cilat tha se i ka filluar qeverisja e mëparshme e LDK-së në Prishtinë, ndër to projektin e kogjenerimi me Termokosin për ngrohjen qendrore të Prishtinës nga avulli i TC Kosova B, ndërtimin e Fabrikës së re të ujit në fshatin Shkabaj për zgjidhjen e problemit të ujit në Prishtinë, ndërtimin e Sheshit “Ibrahim Rugova” dhe Sheshit “Zahir Pajaziti”.
Ai më pas e përfundoi shkrimin e tij duke pyetur se çfarë projektesh ka filluar apo i ka përfunduar Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë.
https://www.facebook.com/IsaMustafaKS/posts/1462099580522941
"Qytetarë të nderuar
Kërkoj debat dhe opinionin tuaj në ditët në vijim në temën: Çfarë punoi LDK për katër vite në Prishtinë dhe çfarë punoi VV, në fusha të ndryshme
Të gjithë ne e duam një Prishtinë të ndërtuar, të zhvilluar mirë. Këtu jetojmë. Fushata dhe kritikat e ndërsjella, pa marrë parasysh kah vijnë, nuk na bën të ndihemi se i kemi zgjidhur problemet. Duhet të flasim me fakte për të mirat dhe për dobësitë.
Para rreth katër viteve u zhvillua një fushatë e gjerë kundër qeverisjes së LDK-së në Prishtinë. Por përkundër kësaj LDK, në raundin e parë mori rreth 44% të përkrahjes qytetare për Kryetar të Komunës. Të gjithë të tjerët, PDK, VV, AAK, PD, AKR, dhe partitë tjera arritën 56%. Përkrahja ishte larg më e madhe për LDK-në. Pse? Çfarë punuam?
Projektet e mëdha:
- Filluam projektin e kongjenerimit me Termokosin për ngrohjen qendrore të Prishtinës nga avulli i TC Kosova B, projekt mbi 30 milion euro me Komisionin Evropian, KFW-në, Qeverinë dhe Komunën;
- Filluam ndërtimin e Fabrikës së re të ujit në fshatin Shkabaj, për të zgjidhur për 20 vitet e ardhshme problemin e ujit të Prishtinës. Komuna me Qeverinë e Kosovë, Qeverinë Gjermane dhe Komisionin Evropian. Projekt, po ashtu, me vlerë mbi 30 milion euro.
- Ndërtuam Sheshin Ibrahim Rugova dhe Sheshin Zahir Pajaziti me standardet më të larta, konkurrentë me shumë sheshe të metropoleve evropiane.
Shtroj pyetjen para jush: Cilin projekt të madh për Prishtinën e filloi, ose e filloi dhe e përfundoi Vetëvendosja?
Nesër do të jap fakte për fushën e arsimit."