Lajmet e fundit

Kryeministri Isa Mustafa, së bashku me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell kanë lansuar projektin mbështetës të Mbretërisë së Bashkuar për të ndihmuar Qeverinë e Kosovës në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Me këtë rast, kreu i ekzekutivit falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për ndihmën në ndriçimin e fatit të këtyre personave.
“Kjo përkrahje, veçmas është rezultat i vizitës që kishte në Kosovë Princi Charles, i cili tregoi një kujdes të veçantë dhe një dhimbje të veçantë për personat e pagjetur dhe për familjarët e këtyre personave"
" Prandaj, unë dëshiroj të falënderoj Mbretërinë e Bashkuar, familjen mbretërore për këtë kujdes që tregojnë për Kosovën, dhe po ashtu të them që Qeveria e Republikës së Kosovës është shumë e interesuar që të mbaj një partneritet të tillë me një partner kaq serioz dhe kaq të përkushtuar ndërkombëtar siç është Mbretëria e Bashkuar, në mënyrë që atë që mund ta bëjmë bashkërisht ta bëjmë për ndriçimin e fatit të personave të cilët akoma nuk janë gjetur dhe veçmas që të shuajmë dhimbjen e familjes së tyre dhe rrethit të tyre por edhe të gjithë kosovarëve sepse të gjithë ne ndjehemi shumë keq për 1660 persona të cilët akoma kërkohen dhe nuk janë gjetur”, tha ai.
Mustafa bëri të ditur se përmes këtij projekti do të trajtohet fuqizimi i kapaciteteve institucionale, zbatimi i vlerësimit me qëllim të plotësimit të infrastrukturës ligjore dhe rritjes së rezultateve përmes rritjes së bashkëpunimit në mes akterëve kryesorë vendorë dhe atyre ndërkombëtarë.
“Unë vetëm dëshiroj të them se çështja e personave të pagjetur mbetet plagë e rëndë e kosovarëve, e shtetit të Kosovës, jo vetëm e familjeve të tyre dhe jo vetëm e komisioneve dhe njerëzve të cilët punojnë drejtpërdrejt me këto çështje”, theksoi ai, transmeton Klan Kosova.