Lajmet e fundit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në cilësinë edhe të kryetarit të LDK-së, në prag të përvjetorit të nëntë të Pavarësisë ka bërë homazhe tek varri i Presidentit, Ibrahim Rugova.
Ai ka thënë se kontributi i Rugovës ka qenë esencial në pavarësinë e shtetit të Kosovës, njofton Klan Kosova.
Sipas Mustafës, institucionet e vendit duhet të kenë në model politikën e tij që gjithmonë ishte në harmoni me bashkësinë ndërkombëtare.
Edhe pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Mustafa së bashku me disa ministra të Qeverisë përfshirë këtu edhe ata të PDK-së, kanë bërë homazhe para shtatores së Rugovës në sheshin që mban të njëjtin emër.
I pyetur rreth mosparakalimit të FSK-së në nëntë vjetorin e Pavarësisë, Mustafa ka thënë se meqë vitin e ardhshëm është vit jubilar atëherë këto trupa do të parakalojnë dhe pritet që kjo forcë të shndërrohet në Ushtri.