Lajmet e fundit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se ambienti i përgjithshëm ekonomik në vend, por edhe rregullativ është duke u përmirësuar vazhdimisht.
Sipas tij domosdo kjo do të reflektojë edhe në treguesit kryesor ekonomik, transmeton Klan Kosova.
“Në raportin e fundit të Bankës Botërore, Kosova ka shënuar përmirësime të konsiderueshme në qeverisjen rregullative, nga rangimi me notë 2.6, në rangim me notë 4.6 (nota 6 është maksimalja).”
“Ky raport vlerëson në detaje transparencën e rregullativës, konsultimet publike, vlerësimin e ndikimit, qasjen në ligje dhe rregullativë dhe mundësia e ndryshimit të rregullativës nga palët e ndikuara”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
“Deri më tani, çdo ndryshim që e kemi bërë për bizneset, e kemi zhvilluar së bashku me bizneset, me qëllim që të adresojmë kërkesat e tyre duke siguruar një ambient të përshtatshëm për bërje biznesi.”
“Si rezultat i kësaj, tanimë, në matjet e vazhdueshme të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), rezulton se besueshmëria e biznesit për ekonomikë është forcuar në masë të dukshme. Trendet janë më të mira se sa që kanë qenë në periudhat e kaluara kohore, pasi që besueshmëria e bizneseve për të ardhmen po përmirësohet.”
“Po ashtu, kemi një rritje të besimit të bizneseve, por edhe të qytetarëve për mundësitë e punësimit në periudhën e ardhshme kohore”, ka thënë Mustafa në fund.