Lajmet e fundit

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Valon Murtezaj, gjatë pjesëmarrjes në forumin e lartë evropian në Vjenë, para të pranishmëve ka folur për rrugën e Kosovës dhe të arriturat e saj drejt integrimeve evropiane.
Në Seminarin e zgjeruar të ministrave të Punëve të Jashtme dhe të liderëve të opozitës, organizuar nga Partia Popullore Evropiane (EPP), Murtezaj ka theksuar përkushtimin e Kosovës për të plotësuar standardet evropiane.
Murtezaj është takuar dhe ka biseduar me shumë personalitete politike evropiane.
Duke folur për tema të rëndësishme që e preokupojnë Evropën dhe Ballkanin Perëndimor, Murtezaj ka theksuar se Kosova ka plotësuar detyrat e saj që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave.
“Qytetarët e Kosovës meritojnë të udhëtojnë lirshëm dhe pa burokraci në kontinentin e tyre”, ka thënë Murtezaj.
Poashtu, ai ka kërkuar që të vazhdohet përkrahja për Kosovën në procesin e njohjeve të pavarësisë, në radhë të parë te shtetet anëtare të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.
Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit i dhanë përkrahje të plotë Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, duke vlerësuar lidershipin e treguar për përpjekjet në reformat e gjithmbarshme në Kosovë.
Partia Popullore Evropiane (EPP) është familje politike e qendrës së djathtë, më e madhja në Parlamentin Evropian që nga fundi i viteve ‘90, e cila përfshinë në gjirin e saj parti të mëdha siç është Unioni Kristian Demokratik i Gjermanisë (CDU), transmeton Klan Kosova.