Lajmet e fundit

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, ka bërë me dije se ndërtimi i murit në pjesën afër urës mbi lumin e Ibrit në Mitrovicë ka për synim të bëhet temë e bisedimeve të Brukselit ndërmjet dy shteteve.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën "Epoka e re", Maloku ka thënë se në këtë mënyrë Serbia po pretendon t'i zgjasë këto bisedime në pafundësi, duke shpresuar në ndryshimin e raporteve ndërkombëtare ShBA - Rusi. “Ky muri është vendosur me qëllim që tash të dyja vendet të merren me këtë çështje në Bruksel, duke i lënë anash çështjet e tjera në këtë proces. Në këtë mënyrë shikohet mundësia e nxjerrjes së ndonjë favori me anë të zvarritjes së kësaj çështje. Ne do ta shohim se tash në Bruksel do të merren me këtë muri, sepse Serbisë i konvenon për t’i vazhduar bisedimet në Bruksel duke shpresuar se a po ndryshojnë raportet ndërkombëtare ShBA – Rusi”, ka thënë Maloku.
Ai i ka ftuar institucionet e Kosovës, që në konsultim me Bashkimin Evropian, të reagojnë ndaj ndërtimit të këtij muri sikurse ndaj çdo objekti tjetër pa leje. Maloku ka thënë se Kosova ka gabuar që, kur ka hyrë në bisedime me Serbinë, nuk ka bërë një plan për afatizimin e këtij procesi.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)