Lajmet e fundit

Ndërtimi i murit në Mitrovicë nga autoritetet lokale serbe të komunës veriore të këtij qyteti, të mbështetura nga Beogradi zyrtar, janë sinjali i fundit për Bashkimin Evropian që të ndërhyjë dhe ndryshojë formatin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Qëndrime për ndryshimin e formatit të dialogut të Brukselit, kanë shprehur edhe përfaqësues nga tabori opozitar.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se muri i ndërtuar në Mitrovicë është një realitet. Andaj, sipas tij, Bashkimin Evropian duhet ta kuptojë që mënyra se si është negociuar deri më tani, rezultatet dhe zbatimi i marrëveshjeve, kanë defekte shumë të mëdha.
“Është e pakuptueshme që ne që gjashtë vjet zhvillojmë negociata në Bruksel me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërkaq një ditë na lind një mur i cili nuk është vetëm simbolikë, por është realitet i vullnetit të insistimit të Serbisë dhe të serbëve që të ketë ndarje në Kosovë”.