Lajmet e fundit

Ministri i Diasporës, Valon Murati, bashkë me zëvendësministrin Sahit Krasniqi dhe me përfaqësues të tjerë të diasporës pritën sot një grup të mësuesve dhe të prindërve bashkë me 37 nxënës të mësimit plotësues nga Austria, të qyteteve Vjenë, Grac, Linc, Wels dhe St.Polten.
Vizita e tyre u realizua në kuadër të ekskursionit në Kosovë e Shqipëri, organizuar nga Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me MASHT-in.
Murati, pasi u uroi mirëseardhje, i përgëzoi mësuesit për punën që po bëjnë në edukimin dhe nxënien e mësimit shqip. Ai foli edhe për rëndësinë që ka mësimi i gjuhës shqipe.
“Ministria e Diasporës po bën përpjekje që bashkë me mësues të shkollave shqipe e prindër të organizojë vazhdimisht aktivitete me programe të tilla, si ekskursione, kuize të diturisë, kampe verore, që t’ju mbajë sa më afër atdheut”, tha ndër të tjera ministri Murati.
Ai i ftoi nxënësit e mësimit plotësues që të bëhen pjesë e kampeve verore, e kuizeve të diturisë, përmes të cilave jo vetëm që fitojnë njohuri për atdheun, po krijojnë edhe miqësi të reja me moshatarët e tyre, transmeton Klan Kosova.