Lajmet e fundit

Ministri i Diasporës, Valon Murati ka thënë se shteti i Serbisë synim e ka destabilizimin e Kosovës.
“Këtë e realizon herë përmes veprimeve siç janë riaktualizimi i urdhërarresteve për ish-ushtarët dhe ish-komandantët e UÇK-së, siç është rasti me ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë por edhe të shumë bashkëluftarëve anëkënd Evropës në vazhdimësi.”
“Por edhe me veprime siç janë ato të ndërtimit të murit në pjesën veriore të Mitrovicës, e herë përmes shfrytëzimit të mekanizmave të përdorimit të vetos nga ana e deputetëve serb, e që ia lejon kushtetuta jonë për të na bllokuar në funksionimin e shtetit”, ka shkruar Murati në llogarinë e tij në Facebook, transmeton Klan Kosova.
Sipas tij Serbia mjeshtërisht e shfrytëzon dhe pranon çkado që asaj i përshtatet nga Pakoja e Ahtisaarit, por nuk e pranon shtetin e Kosovë.
“Të gjithë ne, forcat politike shqiptare, duhet pasur guximin politik e të dalim jo vetëm përtej inateve tona dhe luftës së pakompromis për pushtet, por edhe përtej kornizave politike dhe juridike të të menduarit e që kanë buruar nga kjo pako”.
“Në radhë të parë duhet të kemi guximin të vendosim në rend të ditës parimin e reciprocitetit me Serbinë. Por kjo nuk ndodh duke i ndërprerë bisedimet, por duke i vënë në qendër të bisedimeve Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin”, përfundon Murati.