Lajmet e fundit

B.M ka nëntë ditë që është diagnostifikuar me tuberkuloz dhe është hospitalizuar në Klinikën e Pulmologjisë.
Megjithatë ky pacient dhe 17 të tjerë që nga e hëna e javës së kaluar, po marrin trajtim të pjesshëm sa i përket ilaçeve anti-tuberkulare.
Shkak është mungesa e atyre më kryesore, Rimfapicinë dhe Izonijazid.
Madje, ky 31 vjeçar tregon se këto ilaçe nuk po arrijnë ti gjejnë as jashtë kufirit, teksa shton se kjo gjendje po ndikon në shëndetin e tij, për shkak se nuk dihet se kur do ti marrin barnat për TBC.
Të brengosur shprehen edhe profesionistët shëndetësorë. Kreu i kësaj klinike, Musa Hoxha tregon se ndërprerja e trajtimit nga 7-10 ditë bënë që mjekimi të rifillohet përsëri, dhe kjo padyshim se ka pasoja.
Ngase siç thekson pulomologu Hoxha, sëmundja mund të përkeqësohet, avancohet dhe ri-fillimi i mjekimit mund të ketë vështirësi ngase mund të ketë rezistencë në anti-tuberkularë.
Edhe muaj më parë kjo klinikë është ballafaquar me mungesa, por jo si kësaj radhe ngase e njëjta është furnizuar nga rezervat e institucioneve tjera shëndetësorë, veçse tani thonë se nuk ka askund asnjë sasi të vetme, gjë për të cilën televizioni ka raportuar disa herë.
E, nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë me dije se barnat e lartpërmendura kanë arritur në fundjavën e kaluar ne Aeroportin "Adem Jashari" të Prishtinës dhe pas kalimit te proceseve doganore ato do të sillen në Depon Qendrore ku nga këtu do të shpërndahen sipas kërkesës në institucionet gjegjëse.