Lajmet e fundit

Insulina me veprim të zgjatur e njohur ndryshe me emrin Levemir ka kohë që mungon në depon farmaceutike të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Famijlare në kryeqytet.
Pos këtij lloji mungon edhe insulina me veprim të shpejtë Novorapid dhe disa tableta të tjera për pacientët me diabet.
Insulinvarësit thonë se po detyrohen ta blejnë atë që disa kohë.
Farmacisti përgjegjës në këtë njësi të QKMF-së, Fatos Aliu, ka thënë se planifikimet dhe kërkesat për furnizim janë bërë me kohë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Këso mungesa nuk ka vetëm në Prishtinë. Ngjashëm është edhe në QKMF-në e Suharekës ku 148 pacientë insulinvarës marrin Levemir dhe Novorapid, ku në mesin e tyre janë edhe 18 fëmijë.
Mirëpo, Drejtoria e Shëndetësisë në këtë komunë planifikon që një pjesë të buxhetit për barna ta ndajë edhe për furnizim me insulinë.
Nga Ministria e Shëndetësisë u bë me dije se pothuajse në të gjitha komunat ka mungesë të furnizimit me insulinat analoge, për shkak se ka edhe shkurtime buxhetore në programin për barna.
Nga kjo ministri shtuan se janë në proces të tenderimit për sigurimin e këtyre insulinave dhe se pas përfundimit të këtij procesi furnizimi do të jetë më stabil.