Lajmet e fundit

Qeveria aktuale në krye me Kryeministrin Isa Mustafa, ka treguar paaftësi dhe mos-guxim në shtyerjen e proceseve të rëndësishme përpara.
Kështu mendon analisti politik Artan Muhaxhiri, i cili në studion e emisionit Info Magazine në Klan Kosova, është shprehur se ekzekutivi nuk ka arritur t’i bëjë ofertë të parefuzueshme opozitës.
“Kjo qeveri s’ka ide, vullnet e as ofertë reale për opozitën. Kjo qeveri nuk ka guxim për të bërë një ofertë që nuk refuzohet nga opozita. Po vazhdohet me kokëfortësi dhe po e çimentojnë imazhin e paaftësisë për zgjidhjen e problemeve”.
Ai ka thënë se ndonëse ndërkombëtarët ishin kundër zgjedhjeve të reja kur kjo ide u hodh si mundësi për zgjidhje në fillim, tani ata do t’i përkrahin për shkak se janë të interesuar t’i shtyjnë përpara agjendat e tyre.
“Përfaqësuesit e Ambasadave kanë qenë kategorik kundër zgjedhjeve të reja. Por tash po shihet se kjo qeveri është e paaftë t’i qojë përpara proceset e rëndësishme. Specialja u bë, por Demarkacioni dhe Asociacioni kanë mbetur peng”.
Muhaxhiri ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje, momentalisht partia e tretë për nga numri i votave në vend, ka pësuar rritje dhe ka zënë vendin e dytë duke i dalë përpara Lidhjes Demokratike.
“Nëse vazhdon rritja e Vetëvendosjes, ndoshta është afër vendi i parë. Mirëpo Vetëvendosje është e dyta ama jo në vendin e parë. LDK-ja është e treta në mesin e partive të vendit. Ekziston një rritje e vetëvendosjet tek votuesit dhe kjo është e qartë. Kjo rritje ka ndodhur edhe për meritën e Vetëvendosjes, por edhe për faj të LDK-së dhe PDK-së”.
Ndër të tjerash, Muhaxhiri ka shtuar se Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike janë parti të cila nuk mund të shmangen për koalicion qeverisës edhe nëse shkohet në zgjedhje të reja.
Sipas tij këto dy parti janë aq të mëdha, sa nuk mund të mos përfshihen në mandatin e ri ekzekutiv sepse partitë e tjera janë të vogla.