Lajmet e fundit
Ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ka vizituar fabrikën e këpucëve “SOLID” në Suharekë, me ç’rast për së afërmi ajo është njoftuar me punën dhe sfidat e kësaj fabrike, e cila ka të punësuar rreth 260 punëtorë.

Vëllezërit Kuçi të cilët janë pronarët e fabrikës “SOLID”, informuan ministren për depërtimin e produkteve të tyre në tregjet e vendeve të jashtme, për cilësinë e këtyre produkteve si dhe kapacitetet prodhuese me të cilat punon kjo fabrikë.
Ata kërkuan mbështetje nga institucionet e vendit për përmirësimin e infrastrukturës që do t`iu mundësonte zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, në veçanti ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza në hapësirën e planifikuar për Zonë Ekonomike në Suharekë.
Ministrja Bajrami ritheksoi përkushtimin e MTI-së për të përkrahur bizneset private përmes projekteve infrastrukturore që ndihmojnë kompletimin e Zonave Ekonomike, dhe stimulimet fiskale për ndërmarrjet prodhuese, në veçanti për ndërmarrjet prodhuese dhe eksportuese, transmeton Klan Kosova. / klankosova.tv