Lajmet e fundit

Kompania “M&Sillosi”, që është pjesë e Devolli Corporation, është një nga kompanitë më të mëdha për prodhimin e miellit në rajon.
Drejtori i Prodhimit në “M&Sillosi”, Samir Bajraj, duke treguar për kapacitetet e jashtëzakonshme të ruajtjes dhe prodhimit në këtë fabrikë tha se kanë një kapacitet për bluarje prej 600 tonelatash në ditë.
“M&Sillosi është e njohur për kapacitetet e saj të mëdha të pranimit dhe prodhimit. Kapacitetet deponuese ose përpunuese të ruajtjes së grurit janë rreth 60 mijë ton që e bëjnë një mbushje të menjëhershme që këto 60 mijë ton përveç që akumulohen aty mund të ruhen për një kohë shumë të gjatë. Kapacitetet prodhuese të fabrikës tonë janë të tilla që mund të prodhohen 600 tonë brenda 24 orëve - janë dy linja prodhuese me nga 300 tonë. Sipas informacioneve tona fabrikë të tillë nuk ka në rajon”.
Bajraj në “7 ditë me Panxhën” në Klan Kosova tha se bashkëpunojnë me rreth 15 mijë fermerë të cilët e sjellin grurin në këtë mulli që është më i madhi në Kosovë dhe ndër më të mëdhenjtë në rajon e më gjerë.
“Ne kemi një numër të madh të fermerëve me të cilët bashkëpunojmë që mund të shkojë deri në 15 mijë fermerë që e sjellin grurin këtu. Kjo shifër prej vitit në vit ndryshon, por është një numër shumë i madh i fermerëve që e sjellin grurin direkt këtu derisa kemi edhe pikat grumbulluese që bashkëpunojnë me neve. Zakonisht kemi rreth 30 mijë ton që bëjmë grumbullimin, derisa këtë vit presim ta kalojmë këtë shifër. Është një prurje e madhe derisa jemi vetëm në javën e parë të korrjeve të grurit”.
Derisa në vitin e kaluar kërkesa për miell arriti kulmin për shkak të pandemisë COVID-19 kjo fabrikë arriti që me të gjitha kapacitetet e saj të përpunojë 600 ton grurë në ditë duke mbuluar kështu një pjesë të mirë të tregut pa e rritur çmimin e miellit.
“M&Sillosi e ka treguar veten që është një gjigant dhe që në ditë të vështira nuk e lë popullin keq. Kemi punuar me të gjitha kapacitetet tona përpunuese ku brenda ditës kanë ardhur 600 ton grurë dhe janë përpunuar”.
“M&Sillosi” prodhon rreth 20 lloje të miellit që janë eksportuar edhe në vendet e Bashkimit Europian e SHBA.
Blend Broqi, menaxher për cilësi dhe siguri të ushqimit në “M&Sillosi”, ka treguar se cilat standarde të sigurisë ushqimore përdorin.
“Ne si kompani për më shumë se pesë vjet merremi me implementimin e standardeve të sigurisë ushqimore që janë pjesë e Iniciativës Globale për Siguri të Ushqimit. Dihet që në Kosovë mielli është një produkt që konsumohet mjaft shumë, prandaj ne si kompani e kemi ndjerë obligative që të zhvillojmë standardet e sigurisë ushqimore që të gjithë konsumatorëve tanë vendor dhe të jashtëm t’iu sigurojmë produkt të sigurt dhe të shëndetshëm”.
Kjo fabrikë ka furnizuar me produktet e tyre edhe kompani globale si KFC dhe Domino's Pizza.