Lajmet e fundit

Liberalizmi i vizave dhe Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA), janë dy procese teknikisht të ndara, mirëpo praktikisht të ndërvarura njëra me tjetrën, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve, shkruan Radio Europa e Lirë.
Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian e nënshkruar në tetor të vitit të kaluar do të hyjë në fuqi më 1 prill të këtij viti.
Derisa, sa i përket procesit të liberalizmit të vizave, Kosova ende është duke kaluar në disa faza të përmbushjes së kritereve të nevojshme.
Përmbushja e këtyre kritereve po vlerësohet nga një ekip i ekspertëve të Bashkimit Evropian, i cili më pas do të bëjë një rekomandim nëse Kosovës duhet hequr vizat ose jo.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, e vlerëson lartë hyrjen në fuqi të MSA-së, por sipas tij, kjo marrëveshje nuk mund të ketë zbatim të mirëfilltë dhe benefite nëse nuk ka liberalizim të vizave
Kosova, aktualisht, radhitet e fundit në këtë proces, krahasuar me vendet e tjera që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian, andaj edhe konsiderohet si vendi më i izoluar në Evropë.
Bashkimi Evropian ka hequr vizat për qytetarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, në dhjetor të vitit 2009, ndërsa Shqipërisë dhe Bosnjës u janë hequr vizat një vit më pas, në dhjetor të vitit 2010.