Lajmet e fundit

Kosova sot mori një lajm të mirë.
Marrëveshja për Stabilizim Asociim të cilën e nënshkroi me Bashkimin Europian në tetor të vitit të kaluar, mori dritën e gjelbër nga Parlamenti Europian në Strasburg, duke u bërë kështu ky hapi i parë formal i Kosovës drejt BE-së, njofton Klan Kosova.
Raportuesja për Kosovë në këtë institucion të BE-së, Ulrike Lunacek me buzëqeshje në fytyrë i tha po miratimit të kësaj marrëveshjeje e iu gëzua fort vendimit të kolegëve të saj.
Më pas ajo e përmendi rëndësinë që ka kjo MSA-ja për ekonominë dhe procesin e reformimit të institucioneve të shtetit.
Lajmi se europarlamentarët e miratuan MSA-në i gëzoi shumë qeveritarët.
Zëvendësministri kosovar Hashim Thaçi, e cilësoi miratimin e parlamentarëve si historik dhe se MSA-ja është hapi i parë në rrugën e gjatë të Kosovës drejt BE-së, ndërsa ministri i Integrimit Europian Bekim Çollaku, tha se “Kosova po shkon drejt realizimit të ëndrrës evropiane”.
Kurse presidentja Atifete Jahjaga, konsideroi se ratifikimi i MSA-së e forcon raportin në mes Kosovës dhe BE-së.
Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me Kosovën, e kanë mbështetur me votat e tyre 468 deputetë, e kundërshtuan 102 europarlamentarë, e 81 abstenuan.
Kjo marrëveshje parasheh fuqizimin e dialogut politik në mes Kosovës dhe BE-së, shkëmbime tregtare dhe bashkëpunim në sektorin e energjetikës, drejtësisë dhe ambientit.
Kronikë e Donika Lamaxhemës.