Lajmet e fundit

Ministria e Punëve të Jashtme u bën thirrje shtetasve të Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt Kinës, pasi prania e virusit vdekjeprurës koronavirus - i cili shpërtheu muajin e kaluar në qytetin Wuhan - është konfirmuar në gjithë territorin kinez.
MPJ ka ftuar po ashtu të gjithë shtetasit kosovarë që ndodhen jashtë vendit të evitojnë daljet nëpër vende ku ka dyshime për ekspozim ndaj këtij virusi, meqë shqetësimi më i madh i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është bartja e tij prej njeriut tek njeriu.
Po ashtu ftohen të gjithë shtetasit kosovarë që mund të jenë të bllokuar në Kinë apo kanë simptoma të infeksionit nga ky virus (pavarësisht vendndodhjes) të kontaktojnë ambasadën më të afërt për ndihmë.
Ministria e Punëve të Jashtme u bën thirrje edhe institucioneve përkatëse shëndetësore dhe atyre të sigurisë kombëtare të zbatojnë masat e nevojshme të parandalimit të kësaj epidemie në kufijtë e Kosovës duke ndaluar në pikat kufitare të infektuarit dhe të dyshuarit e mundshëm - përfshirë izolimin nga kontakti me njerëz, futjen në karantinë dhe monitorimin e gjendjes së tyre shëndetësore.
Autoritetet kineze të shëndetit publik kanë bërë të ditur se deri më tani janë konfirmuar 7,711 veta të infektuar në Kinë, ndërsa sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë koronavirusi është përhapur edhe në të paktën 15 shtete të tjera të botës përfshirë Zvicrën, Francën dhe Gjermaninë.
Numri i vdekjeve nga koronavirusi, që dyshohet të ketë shpërthyer nga një rezervuar kafshësh, është rritur në 170 veta, ndërkohë që përpjekjet shkencore për të gjetur vaksinën vrasëse të virusit janë intensifikuar, edhe pse sipas OBSH-së ka rrezik që zbulimi i saj të mos ndodhë edhe disa muaj.
Të dhëna më të hollësishme për publikun rreth rrezikut nga epidemia mund të gjenden në ueb-faqen e Organisatës Botërore të Shëndetësisë e cila po ashtu ka paralajmëruar se së shpejti do të mund të merr vendim për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme për mbrojtje nga virusi vrasës.