Lajmet e fundit

Ministria e Punëve të Brendshme me anë të një kumtese për media kanë njoftuar për mbajtjen e mbledhjes së Bordit ekzekutiv për menaxhimin e integruar të Kufirit.
“Në këtë mbledhje të Bordit Ekzekutiv, morën pjesë udhëheqësit e Agjencive në kuadër të MIK-ut, si drejtori i Doganave të Kosovës, Drejtori i Policisë Kufitare, Kryeshefi Ekzekutiv i AUV-ut, si dhe zyrtarë tjerë kompetent. Në këtë takim u diskutua për format më bashkëkohore të funksionalizimit të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit, si dhe të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punëve në mes të gjitha autoriteteve kompetente të kufirit,” thuhet në komunikatë, njofton Klan Kosova.
Më tej njoftohet për emërimin e koordinatorit të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit si dhe miratimin e procedurave për qendrën kombëtare dhe njësitë e analizës.
“Në këtë takim u emërua Koordinatori i Qendrës Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit, si dhe u miratuan Procedurat Standarde të Operimit për Qendrën Kombëtare dhe Njësinë e analizës brenda qendrës. Menaxhimi i Integruar i Kufirit dhe siguria në kufi, përbën një angazhim të veçantë në raport me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, legjislacionin në fuqi, veprimet politike dhe Sigurinë Kombëtare brenda vendit, si dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare veçanërisht në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, strukturat tjera ndërkombëtare dhe ndërtimin e besimit me shtetet fqinje e më gjerë,” thuhet në komunikatë, njofton Klan Kosova.