Lajmet e fundit

Për shkak të intesitetit të lartë të rreshjeve, që kanë nisur prej pasdites së djeshme dhe problemeve që kanë shkaktuar, në gjithë Shqipërinë janë ngritur me urdhër të Ministrit të Punëve të Brendshme që mbrëmjen e së shtunës Shtabet e Emergjencave në çdo Prefekturë.
Gjithashtu, të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, Shërbimit Zjarrëfikës, strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, Ministirsë së Transporteve dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme po punojnë në terren për përballimin e situatës, nën drejtimin e Prefektëve në çdo qark.
Janë evakuuar disa familje në Vlorë dhe Fier, si dhe janë marrë masa për strehimin e tyre.
Po ashtu, janë marrë masa për zhbllokimin e akseve rrugore ku ka shembje dherash, si në Elbasan, Korcë dhe Vlorë.
Disa motopompa janë vënë në dispozicion për heqjen e ujit nga banesa dhe garazhe.
Bazuar në informacionet e dërguara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile, situata paraqitet më problematike:
Qarku Vlorë. Si rezultat i reshjeve të shumta të shiut, një shtetas ka humbur jetën. Shtetasi Luan Qarri, 50 vjeç, po udhëtonte me makinë në momentin e vërshimit të ujit të përrenjve në Radhimë, Vlorë, ku për pasojë mjeti u përmbys. Po si rezultat i reshjeve të rëna janë me prezencë uji lagjja “24 Maji” dhe “15 Tetori”, ku edhe janë evakuuar 8 familje, gjithsej 25 persona. Po punohet për rivendosjen e energjisë elektrike, në zonën e Novoselës.
Qarku Elbasan. Si pasojë e reshjeve të rëna në këtë Qark, gjatë të ditës së djeshme e në vazhdim ka pasur një devijim të rrugës aktuale të aksit Elbasan-Gramsh, në aksin e vjetër Elbasan-Tregan-Gramsh. Për pasojë pati bllokim të qarkullimit të automjeteve në këtë segment rrugor. Në vendgjarje shkuan menjëherë forcat e Policisë së Qarkullimit Rrugor, Drejtori i Drejtorisë Rajonale Qëndrore të Autoritetit Rrugor Shqiptar, drejtues të Bashkisë Gramsh, të cilët morën masat përkatëse.
U kontaktua me firmat private të cilat dërguan menjëherë 4 mjete, të cilat po punojnë intensivisht për hapjen plotësisht të rrugëve, duke normalizuar qarkullimin e automjeteve në këtë segment rrugor.
Qarku Korçë. Në këtë Qark gjatë ditës së sotme, si rezultat i reshjeve të shumta, lumi Vërdovë doli nga shtrati dhe ujërat e tij vërshuan drejt banesave dhe rrugëve të fshatit Vërdovë dhe Buçimas, si dhe të qytetit Pogradec.
Për pasojë është shembur një banesë në Vërdovë.
Menjëherë u angazhuan forcat dhe mjetet e Bashkisë Pogradec, PMNZSH-së Pogradec, Bordit të Kullimit Pogradec, Komisariatit të Policisë Pogradec, për normalizimin e situatës së krijuar.
Në aksin nacional Ersekë-Korçë ka pasur bllokime të rrugës nga inertet po punohet për hapjen e normalizimin e situatës.
Në bashkinë Ersekë raportohet se janë mbytur një sasi e konsiderueshme e bagëtish.
Qarku Fier. Në këtë qark gjatë ditës së sotme, si rezultat i reshjeve të shumta të ditës së djeshme lumi Gjanica ka dalë nga shtrati pasi ka pasur prurje të shumta nga reshjet e rëna.
Për pasojë janë përmbytur banesat, bizneset, etj., që ndodhen pranë shtratit të këtij lumi. Forcat e Bashkisë Fier, të PMNZSH-së Fier, të policisë, etj., kanë punuar me tre motorskafe si dhe 2 automjete zjarrfikëse së bashku me të gjithë forcat duke evakuauar rreth 30 familje nga zona e përmbytur.
Qarqet me më pak probleme janë Shkodra dhe Gjirokastra./Mapo.al