06.02.2016 · përditësuar para 3829 dite1 min lexim
Brenda bllokut opozitar duket se ende nuk është arritur një akordim përfundimtar se a do t’i përgjigjen ftesës së Presidentes, Atifete Jahjaga, për dialogë, pozitivisht apo jo.
Megjithëkëtë, zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka thënë se edhe nëse nuk shkojnë të tre liderët opozitarë te Presidentja, kjo nuk do të përbëjë kurrfarë ndryshimi brenda opozitës dhe aksionit të tyre opozitar.
“Edhe nëse nuk shkojnë të gjithë bashkë, kjo nuk do të reflektojë fare në aksionin e përbashkët të frontit opozitar”, ka deklaruar Nitaj për Klan Kosovën.
Nitaj më herët i ka thënë Klanit se lideri i tij, Ramush Haradinaj, është pro takimit me Jahjagën, por një vendim përfundimtar nga blloku pritet të kumtohet nesër.
Ndërsa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka deklaruar për Klan Kosovën se beson fort që të gjitha partitë opozitare do të bien dakord për të mos iu përgjigjur ftesës së Jahjagës.
Lekaj shtoi se nuk do të ketë ndarje në mes të partive opozitare, dhe nëse nesër eventualisht merret vendimi për të shkuar në takimin e ftuar nga Jahjaga, atëherë do të shkojnë të gjitha partitë opozitare.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
L
SHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.